Kryetari i ri i Shtetit i Kinës Xi Jinping zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë Vladimir Putin me ftesën e këtij të fundit.
Putini e uroi z. Xi për zgjedhjen në postin e kryetarit të Shtetit të Kinës. Kreu i Kremlinit u shpreh se marrëdhëniet kino-ruse janë një nga faktorët më të rëndësishëm të ruajtjes së paqes e të qëndrueshmërisë në botë dhe kanë një domethënie të veçantë. Moska po përgatitet aktivisht për vizitën zyrtare që do të bëjë kryetari Xi në Rusi. Z. Putin shprehu besimin se vizita e homologut të tij kinez do të nxitë më tej bashkëpunimin e shkëmbimet njerëzore dhe do të konsolidojë më tej marrëdhëniet dypalëshe.
Nga ana e tij, z. Xi Jinping e falënderoi presidentin Putin për urimet. Ai u shpreh se fakti që z. Putin ishte kreu i parë i shtetit që e uroi për zgjedhjen në postin e ri tregon rëndësinë e madhe të marrëdhënieve kino-ruse, si edhe ndjenjat e sinqerta që ekzistojnë ndërmjet të dy popujve. "Edhe unë gjithashtu i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve të gjithanshme të partneritetit strategjik kino-rus dhe i kam parë ato gjithmonë si përparësi të diplomacisë kineze. Pala kineze dëshiron që të përpiqet së bashku me palën ruse për të krijuar një të ardhme të bukur dhe për të nxitur ngritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat në një nivel më të lartë, u shpreh kreu i shtetit kinez. (Vera/Artani)