Qeveria amerikane shpalli të hënën vendosjen e sanksioneve ndaj Bankës Tregtare të Koresë së Veriut dhe katër zyrtarëve të lartë të këtij vendi, me akuzën se janë përfshirë në programin e armëve bërthamore dhe të raketave të Phenianit.
Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit i ShBA-së theksuan në deklaratat e tyre përkatëse se sanksionet e reja synojnë të ndalojnë prodhimin e armëve të shfarosjes në masë dhe programin e zhvillimit të raketave nga Koreja e Veriut.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri të enjten e kaluar rezolutën nr. 2094 mbi provën e tretë bërthamore të Koresë së Veriut, ku i kërkohet Phenianit të mos kryejë më prova bërthamore, të heqë dorë nga plani bërthamor dhe të kthehet në "Traktatin e mospërhapjes së armëve bërthamore".(Zhan Dian/Artani)