Presidenti i ri i Kinës, i cili do të konfirmohet në fund të punimeve të dy sesioneve, që mbyllen më 17 mars, do të vizitojë Rusinë, Tanzaninë, Afrikën e Jugut, Republikën e Kongos dhe do të marrë pjesë në takimin e pestë të udhëheqësve të BRICS-it në Durban.
Kjo u bë e ditur të shtunën nga ministri i jashtëm kinez, Yang Jiechi.
Duke folur për vizitën në Moskë, shefi i diplomacisë tha se Pekini shpreson që t'i jepet një shtysë e mëtejshme marrëdhënieve kino-ruse, ndërsa shtoi se vizita në Afrikë do të dëshmojë angazhimin serioz në rritje të Kinës ndaj vendeve të këtij kontineti.
Ndërkaq, duke folur për pjesëmarrjen në samitin e udhëheqësve të vendeve të BRICS-it, Yang Jiechi tha se vizita e presidentit të ri kinez do të shërbejë për forcimin e partneritetit, përmirësimin e mekanizmave dhe shtimin e bashkëpunimit mes shteteve anëtare. (Ardi Pulaj)