Udhëheqësit e partisë dhe të shtetit Xi Jinping, Zhang Dejiang, Liu Yunshan e Zhang Gaoli vijuan të premten takimet me delegacionet e provincave të ndryshme të Kinës, pjesëmarrëse në sesionin e sivjetshëm të Asamblesë Popullore Kombëtare.
Gjatë një takimi me delegacionin e provicës Jiangsu të premten në Pekin, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës Xi Jinping e vuri theksin në ndryshimin e strukturës së sektorit industrial.
Z. Xi vuri në dukje se krijimi i një sistemi që mundëson një industri moderne është parakusht dhe garanci për zhvillimin cilësor të ekonomisë kineze. Trajtimi siç duhet i marrëdhënieve ndërmjet urbanizimit, industrializmit dhe modernizimit të bujqësisë do të sjellë arritjen e objektivit të krijimit të një Kine të bukur, u shpreh Xi Jinping.
Zv.kryeministri i Kinës Zhang Dejiang mori pjesë në diskutimet me përfaqësuesit nga provinca Guangdong. Ai tha se Guangdongu ka qenë një lokomotivë e Reformës dhe Hapjes në Kinë, prandaj duhet të nxitet procesi i ndryshimit të strukturës ekonomike në këtë provincë, që të ngrihet cilësia e zhvillimit ekonomik.
Ndërsa gjatë takimit me delegacionin e provincës Qinghai, sekretari i parë i Sekretariatit të Komitetit Qendror të PKK-së Liu Yunshan e vuri theksin në rëndësinë e kulturës në jetën e popullit. Ai inkurajoi zhvillimin e projekteve të ndryshme kulturore në Qinghai për të plotësuar kërkesat e njerëzve.
Në takimin me përfaqësuesit e provincës Shanxi, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së Zhang Gaoli shprehu dëshirën që kjo provincë të marrë pjesë në risitë ekonomike, të përmirësojë strukturën ekonomike, si dhe të nxitë zhvillimin e ekonomisë së gjelbër . (Wang Xianya/Artani)