Kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës (KKZhR) Zhang Ping u shpreh të mërkurën në Pekin se kërkesa e brendshme dhe investimet do të vazhdojnë të jenë faktorë kyç për nxitjen e zhvillimit të ekonomisë kineze. Njëkohësisht ai shprehu besimin e tij në zhvillimin e ekonomisë kineze edhe për një periudhë të caktuar në të ardhmen.
Z. Zhang vlerësoi pozitivisht arritjet e ekonomisë kineze vjet dhe shprehu besimin e plotë në zhvillimin e ardhshëm të saj. Ai u shpreh:
"Ne ndodhemi ende në një periudhë rastesh strategjike. Gjatë 30 vjetëve të Reformës dhe Hapjes, ne kemi krijuar një bazë materiale relativisht të qëndrueshme dhe tani po nxitim industrializimin, informatizimin, urbanizimin dhe modernizimin e bujqësisë. Kjo do të krijojë një hapësirë të madhe për kërkesën e brendshme. Me thellimin e reformës, do të vazhdojmë të nxitim gjallërimin e tregut dhe iniciativën e krijueshmërinë, për t'i dhënë një shtysë të mëtejshme zhvillimit tonë ekonomik."
Kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës theksoi gjithashtu se, sivjet, por edhe për një periudhë të ardhshme, konsumi dhe investimet do të luajnë rol thelbësor në nxitjen e zhvillimit ekonomik në Kinë. Muajt e fundit urbanizimi është bërë një ndër temat kryesore në Kinë, duke u vlerësuar si potencial i madh për shtimin e kërkesës së brendshme. Por gjithashtu ka shqetësime se zgjerimi i shpejtë i qyteteve do të krijojë probleme. Lidhur me këtë, Zhang Ping u shpreh se gjatë procesit të urbanizimit më të rëndësishme se shpejtësia dhe përmasat janë cilësia dhe niveli.(Zhan Dian/Artani)