Në Pekin u zhvillua të martën mbledhja e parë e legjislaturës së re të Asamblesë Kombëtare Popullore, me pjesëmarrjen e Hu Jintaos, Xi Jinpingut, liderëve të tjerë të Kinës si dhe të rreth 3000 ligjvënësve, që morën zyrtarisht mandatet e tyre.
Kryeministri Wen Jiabao paraqiti raportin e fundit si shef i qeverisë të kabinetit që drejtoi gjatë pesë viteve të kaluara.
Duke përmendur arritjet, Wen Jiabao pranoi edhe kontradiktat dhe problemet e shoqërisë kineze, të cilat lidhen kryesisht me zhvillimin ekonomik, mjedisin e dallimin e thellë te të ardhurat në zonat urbane e rurale.
"Ekzistojnë ende shumë probleme që lidhen ngushtë me interesat e qytetarëve, si korrupsioni i përhapur në shumë fusha", tha Wen.
Ai gjithashtu paraqiti edhe objektivat kryesore të së ardhmes, duke thënë se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 7.5%, ndërsa shtimi i konsumit në masën 3.5% .
Gjatë 12 ditëve të punimeve të Asamblesë Kombëtare Popullore, ligjvënësit do të vendosin edhe për reformën institucionale. (Vera/ Ardi Pulaj)