Të martën u hap në Pekin sesioni i parë i legjislaturës së re të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës. Në këtë sesion të AKP-së, që është organi më i lartë i pushtetit në Kinë, do të zgjidhen liderët e rinj të shtetit. Kryeministri kinez Wen Jiabao theksoi në raportin e punës së qeverisë të mbajtur para Asamblesë se reforma dhe hapja janë forcat themelore nxitëse për përparimin e Kinës:
"Reforma në vendin tonë është futur në një fazë kyçe, prandaj duhet medoemos të çlirojmë më tej mendimet tona dhe të çojmë përpara e të thellojmë në mënyrë të gjithanshme reformat ekonomike, politike, kulturore dhe shoqërore."
Pas më shumë se 30 vjetëve të Reformës dhe Hapjes, përfitimi nga masat popullore i fryteve të reformës ka qenë fokusi i punës së qeverisë. Për këtë Wen Jiabao tha:
"Ne kemi vendosur në vend të parë garantimin dhe përmirësimin e jetesës së popullit. Gjatë pesë vjetëve të kaluar, kemi bërë 197.3 miliadë juanë investime të veçanta për punësimin, duke punësuar 28 milionë të diplomuar dhe 8.3 milionë persona në vështirësi për gjetje pune. Gjithashtu, është realizuar mbulimi i përgjithshëm me pensione pleqërie i zonave urbane dhe rurale. Krahas kësaj, ka përfunduar faza e parë e krijimit të sistemit të sigurimeve shëndetësore bazë, në të cilin janë regjistruar mbi 1.3 miliardë persona. Po zgjerohet gradualisht edhe sistemi i banesave ekonomike për njerëzit në vështirësi. "
Lidhur me punët e qeverisë së re, z. Wen sugjeroi që të shpejtohet ndryshimi i mënyrës së zhvillimit, të nxitet integrimi i zonave urbane dhe rurale dhe të përmirësohet më tej niveli i jetesës së popullit.
"Duhet të përmirësohet më tej sistemi i ekonomisë socialiste së tregut, për të formuar një mjedis ku të gjitha llojet e ekonomive të shfrytëzojnë burimet e prodhimit, të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në konkurrencën e tregut dhe të mbrohen nga ligji. Kemi hartuar disa dokumente për reformën e të ardhurave dhe në të ardhmen duhet të konkretizohen sa më parë politikat përkatëse, për të përfituar më tej dhe në mënyrë më të barabartë i gjithë populli," theksoi kreu i qeverisë kineze Wen Jiabao.
(Jiang Lei/Artani)