Mediat e huaja janë të mendimit se dy sesionet që po zhvillohen në Kinë do të përpiqen të nxitin thellimin e reformës dhe zhvillimin e vazhdueshëm të ekonomisë, duke pasur një domethënie të rëndësishme për përparimin jo vetëm të Kinës, por edhe të mbarë botës.
Në editorialin e "The European Times" thuhet se dy sesionet e sivjetshme, që zhvillohen pas Kongresit të 18-të të PPK-së, kanë tërhequr vëmendje të madhe në gjithë botën. Pjesëmarrësit në të dy sesionet do të diskutojnë lidhur me strategjitë dhe rrugët për realizimin e së ashtuquajturës "ëndërr kineze", me besimin se kjo "ëndërr" do të ketë një shkëlqim të veçantë.
Agjencia e lajmeve "Reuters" komenton se zvogëlimi i hendekut të të ardhurave është një ndër detyrat kryesore të ekipit të ri të udhëheqësve kinezë. Rishpërndarja e të ardhurave, reforma strukturore e Këshillit të Shtetit, si edhe problemet e korrupsionit dhe të mjedisit do të jenë temat më të nxehta të të dy sesioneve, shkruan "Reuters".
Ndërkohë, në një artikull të botuar në gazetën spanjolle "El Pais" theksohet se sesioni i sivjetshëm i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës është më i rëndësishmi, për shkak të ndryshimit të ekipit udhëheqës. Në artikull vihet në dukje se ekonomia dhe ndikimi ndërkombëtar i Kinës janë forcuar, por vendi gjithashtu përballet me situata dhe sfida më të vështira. Për të siguruar zhvillimin e vazhdueshëm, vijon artikulli i "El Pais", Kina duhet të thellojë më tej reformën dhe liderët kinezë duhet ta kuptojnë se zhvillimi ekonomik e politik i vendit ka arritur në një pikë kthese.(Zhan Dian/Artani)