Të hënën u zhvillua në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin një konferencë shtypi në prag të hapjes së sesionit të parë të legjislaturës së 12-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (AKP).
Zëdhënësja e AKP-së Fu Ying, një diplomate me përvojë, është gruaja e parë në këtë post në historinë e AKP-së. Në konferencën për shtyp ajo iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi fusha të ndryshme, si lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e mjedisit, diplomacia dhe reforma e sistemit politik.
Në fillimin të konferencës znj. Fu paraqiti programin e sesionit të AKP-së:
"Sesioni i parë i legjislaturës së 12-të të Asamblesë Kombëtare Popullore do të hapet më 5 mars, pra nesër paradite. Sesioni do të zgjatë 12 ditë e gjysmë dhe do të mbyllet më 17 mars paradite. Më pas do të ftojmë kryetarin e ri të Këshillit të Shtetit të takohet me mediat dhe, i shoqëruar nga zv.kryeministrat, ai do t'u japë përgjigje pyetjeve tuaja. Njoftimet dhe informacionet përkatëse do të publikohen nga Qendra e Informacionit e AKP-së nëpërmjet internetit dhe mesazheve në celular."
Për arsye që kjo është hera e parë e zgjedhjes së anëtarëve të AKP-së pas amendimit të Kodit Zgjedhor në vitin 2010, përbërja e këtyre anëtarëve ka tërhequr vëmendje të madhe. Për këtë, Fu Ying tha: "Në krahasim me legjislaturën e kaluar, numri i punëtorëve dhe i fshatarëve është shtuar me 155, afro 5 për qind. Ndër ta, 31 janë punëtorë nga fshati dhe ne të gjithë po presim që të dëgjojmë dëshirat dhe kërkesat e tyre për sektorët përkatës. Ndërsa numri i kuadrove të PKK-së është pakësuar me afro 7 %."
Sesioni i sivjetshëm i AKP-së ka tërhequr mbi 3 000 gazetarë të mediave të ndryshme, afro 1 000 prej të cilëve të huaj. (Jiang Lei/Artani)