Hamdi Salihit i është dashur pak kohë për të shkruar emrin e tij në historinë e futbollit kinez.
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ishte njeriu i ndeshjes në Superkupën e Kinës, të fituar 2-1 nga Jiangsu Sainty përballë Guangzhou Evergrande, skuadrës që drejtohet nga i mirënjohuri Marçelo Lipi dhe që në vitet e fundit ka dominuar futbollin kinez.
Guangzhou fitoi kampionatin dhe Kupën në sezonin e kaluar, ndërsa mendohej se do të fitonte edhe trofeun e tretë radhazi, Superkupën e Kinës. Por Salihi ka prishur planet e Lipit, duke kaluar në avantazh skuadrën e tij me një gol me kokë në minutën e 20-të. Vetëm 10 minuta më vonë, ai ishte protagonisti i golit të dytë, duke dhënë pasimin për Borovitz që dyfishoi shifrat.
Më pas, Sainti vetëm mendoi të ruante rezultatin dhe ndonëse pësoi një gol në pjesën e dytë, arriti të fitonte 2-1 dhe të merrte trofeun e parë në historinë e këtij klubi. (Marrë nga Lajme Shqip)