Vitet e fundit, me gjithë hartimin e shumë politikave kontrolluese nga shteti, çmimi tepër i lartë i banesave vijon të jetë një barrë e rëndë për banorët e thjeshtë. Znj. Wang Lin punon në një bankë në Pekin. Ajo dëshiron të ketë një banesë të vetën, por është e shqetësuar nga ngritja e mëtejshme e çmimeve, prandaj po nxiton të blejë sa më shpejt një shtëpi. Ajo shpreson se dy sesionet do t'i kushtojnë më shumë vëmendje problemit të çmimeve të banesave, që ato të rikthehen në një nivel të arsyeshëm dhe që më shumë njerëz të kenë mundësi të blejnë një të tillë.
Niu Fan punon në një televizion të provincës Hebei. Pas disa muajsh ai do të bëhet me fëmijë. Kohët e fundit z. Niu dhe e shoqja po interesohen për sigurinë e ushqimeve për fëmijët, për të garantuar rritjen e shëndetshme të foshnjës së tyre. Ky çift i ri beson se pjesëmarrësit në dy sesionet e sivjetshme do të bëjnë më shumë propozime për forcimin e sigurisë ushqimore.
Zoti Fu Xing e la punën e vet në Hainan për të ardhur në Pekin, por mendon se cilësia e ajrit në këto dy zona është krejt e ndryshme. Ai thotë se ishulli Hainan jo vetëm ka epërsi nga ana e vendndodhjes gjeografike, klimës e elementeve të tjera natyrore, por edhe ka burime shumë të pakta ndotjeje, gjë që siguron një cilësi të mirë të ajrit aty. Fu shprehet se masat e shumëllojshme të ndërmarra nga qeveria kanë përmirësuar gjendjen e ndotjes së ajrit në Pekin, por shpreson se procesi i përmirësimit do të përshpejtohet, sepse, sipas tij,ajri i ndotur dëmton shëndetin e njeriut. (Vera/Artani)