Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Hong Lei konfirmoi në Pekin se Kina kishte kthyer mbrapsht njoftimin e Filipineve për paraqitjen e mosmarrëveshjes për detin e Kinës Jugore ndërmjet të dy palëve në arbitrazhin ndërkombëtar.
Z. Hong u shpreh: "Ambasadori i Kinës në Filipine Ma Keqing u takua sot me funksionarë të Ministrisë së Jashtme filipinase, duke u shprehur atyre që pala kineze nuk e pranon njoftimin dhe notën përkatëse dhe ua kthen ato palës filipinase."
Zëdhënësi i diplomacisë kineze deklaroi gjithashtu që Kina ka dëshmi të plota historike dhe ligjore për sovranitetin e saj mbi ishujt Nansha dhe ujërat përreth tyre. Pala kineze gjithmonë përpiqet t'i zgjidhë mosmarrëveshjet nëpërmjet bisedimeve dhe ka bërë mjaft punë për ruajtjen e stabilitetit në detin e Kinës Jugore. Hong Lei theksoi se mes Kinës dhe vendeve të ASEAN-it është arritur konsensus në "Deklaratën e qëndrimit të palëve të ndryshme për detin e Kinës Jugore" që të zgjidhen mosmarrëveshjet përkatëse nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta mes vendeve të interesuara. Prandaj njoftimi dhe nota përkatëse nga Filipinet jo vetëm që është shkelje e këtij konsensusi, por edhe përfshin akuza të pabaza. Për këtë arsye, Kina shpreh kundërshtimin e vet të vendosur.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës shtoi në fund se Pekini shpreson që Filipinet të kthehen në rrugën e duhur për një zgjidhje të problemit me bisedime dypalëshe. (Jiang Lei/Artani)