Pas festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, Shqipëria nderoi më 29 nëntor, dëshmorët që çliruan vendin nga pushtuesit nazi-fashistë. Presidenti i vendit Bujar Nishani vendosi të nderojë dëshmorët, duke festuar kështu 68-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, njofton ora news.
Presidenti Nishani ka vendosur kurora me lule në monumentin "Nënë Shqipëri".
"Në këtë 100 vjetor të pavarësisë një nderim i veçantë padyshim i kushtohet të gjithë atyre që u ngritën dhe ranë në luftën për Çlirimin e Shqipërisë nga kushtetuesit në Luftën e Dytë Botërore. Sot Shqipëria ecën e sigurt drejt integrimit në BE, ndaj sot më shumë se kurrë kemi ç`ti themi brezave që vijnë", tha Nishani.
I pyetur në lidhje me refuzimin e pjesëmarrjes në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë të ministrit të jashtëm grek Dimitris Avramopulos për shkak të deklaratave të kryeministrit Berisha, kreu i shteti theksoi se Shqipëria s`ka asnjë pretendim territorial për fqinjët.
"Shqipëria kurrë nuk kanë pasur qëllime të këqija ndaj fqinjëve. Shqiptarët kanë promovuar parimet e bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë. Nuk kemi pretendime territoriale për vendet fqinje", tha ai.
Edhe kreu i PS-së Edi Rama zhvilloi homazhe në memorialin "Nënë Shqipëri" me rastin e 29 nëntorit, Ditës së Çlirimit. Kryesocialisti Rama tha se bota i pa dje shqiptarët në krahun e duhur të historisë.
"29 nëntori është dita tjetër e madhe që ka shënuar njëherë e përgjithmonë në historinë e Shqipërisë. Dita e djeshme tregoi se ne kishin me vete një mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për të lexuar me krenari dy faqe të shkuara por edhe për të parë nëse e ardhmja jonë do të jetë akoma edhe më e çmuar nëse e kemi guximin që ta rilindnim Shqipërinë. Dhe ne e kemi guximin që ta rilindim Shqipërinë" tha Rama.
Gjithashtu, kryesocialisti Rama përshëndeti lirimin nga akuzat të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. (Leftion Peristeri)