Të rinjtë e Lezhës janë bashkuar për t'i dhënë më shumë atmosferë festimeve të kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, duke vendosur në kalanë e këtij qyteti një flamur gjigant kuq e zi.
Kremtimi i një ngjarje historike, është pjesë e të gjithë shoqërisë, ndaj si e tillë edhe të rinjtë duhet që të kenë kontributin e tyre në ndjenjën kombëtare, duke vlerësuar historinë e vendit te tyre, ku sigurisht Lezha zë një pjesë të rëndësishme të saj.
Altin Jaku, përfaqësues i grupit të intelektualeve të rinj lezhianë, e ka konsideruar këtë ngjarje, si një kontribut i kujtesës ndaj 100 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe çlirimit të Lezhës.
Flamuri me përmasa 80 metër katror është vendosur në faqen kryesore të kalasë së Lezhës, duke qenë mjaft i identifikueshëm për të gjithë vizitorët dhe kalimtarët e ndryshëm, raporton "abcnews".