Mbërritën mëngjesin e së premten në atdhe eshtrat e Ahmet Zogut. Ato u transportuan nga Franca në Shqipëri ku edhe do të varrosen në Mauzoleun e Familjes Mbretërore në Tiranë, njofton ora news.
Eshtrat mbërritën në aeroportin "Nënë Tereza" ku janë pritur me një ceremoni shtetërore nga Princi Leka II dhe pjesëtarë të tjerë të familjes mbretërore, nga ministrat Flamur Noka, Arben Imami dhe Aldo Bumçi, nga dy zv. ministrat Edith Harxhi dhe Ekrem Spahiu.
Eshtrat u vendosën në shtratin e topit dhe u nisën drejt banesës së Familjes Mbretërore, ndërsa të shtunën do të zhvillohen edhe homazhe në nderim të mbretit Zog në Pallatin e Brigadave.
Ahmet Zogu e shpalli veten mbret të shqiptarëve në vitin 1928 dhe u arratis nga vendi në prillin e vitit 1939 kur diktatori italian Benito Musolini dhe ushtria italiane nisën pushtimin e Shqipërisë. Ai vlerësohet për ndërtimin e një shteti modern të stilit perëndimor, por në kushtet e luftimit të opozitës dhe eliminimit të kundërshtarit.
Në 100-vjetorin e pavarësisë, historianët janë të ndarë mbi rolin e monarkut, ndërsa të shumtë kanë akuzuar kryeministrin e vendit Sali Berisha se po shmang qëllimisht nderimin e Ismail Qemalit, njeriut që ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë më 1912-ën.
Sipas autoriteteve në Shqipëri, në orën 12:30 do të zhvillohet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zog në Mauzoleun e ndërtuar në kuadër të këtij viti jubile, vendi i njohur si varri i Nenës Mbretëreshë. (Leftion Peristeri)