Me rastin e mbajtjes së Kongresit të 18-të të Partisë Komuniste të Kinës, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Kryetari i Saj, Edi Rama, i shprehu urimet më të mira Pekinit për mbajtjen me sukses të Kongresit dhe i uron udhëheqësisë së re që do të dalë nga ky Kongres, suksese të mëtejshme në përballimin e sfidave me të cilat ndeshet Republika Popullore e Kinës dhe Populli Kinez në drejtim të rritjes së mëtejshme të mirëqënies, zhvillimit social, teknik e shkencor si dhe në arenën ndërkombëtare, në rritjen e paqes dhe të sigurisë në botë.
"Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh bindjen se Kongresi do të përbëjë një ngjarje të shënuar për të bërë bilancin e arritjeve të deritanishme si dhe përcaktimin e reformave dhe të kursit në të cilin do të ecet në vitet e ardhshme. Reformat e filluara nën drejtimin e Partisë Komuniste Kineze kanë sjellë transformime rrënjësore në zhvillimin ekonomik e social të Kinës dhe kthimin e saj brenda disa dekadave në ekonominë e dytë më të madhe në botë", thuhet në mesazhin e Ramës
"Partia Socialiste e Shqiperisë i përshëndet këto arritje të Partisë Komuniste të Kinës dhe të popullit Kinez dhe shpreson e beson se marrëdhëniet tradicionale miqësore dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona do të rriten e forcohen më tej mbi bazën e miqësisë dhe respektit reciprok", shkruan Rama në mesazhin përshëndetës për Kongresin e 18-të të PKK-së.