Zëvendësministri i jashtëm i Kinës, Song Tao publikoi një artikull në gazetën britanike "The Daily Telegraph", ku thekson se tensionimi i situatës për shkak të ishujve Diaoyu, erdhi si pasojë e veprimeve të Japonisë.
Sipas numrit dy të diplomacisë kineze, marrja e masave nga qeveria japoneze për shtetëzimin e ishujve ndryshoi konceptin ligjor për Diaoyu, ndaj pala kineze u kundërpërgjigj. Kina vazhdon të këmbëngulë në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve mbi ishulljt Diaoyu, duke kërkuar nga Tokio që të korrigjojë gabimet dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve sa më parë, thotë Song Tao.
"Ishujt Diaoyu kanë qenë pjesë territoriale e Kinës që në lashtësi, ndaj Pekini ka sovranitetin e padiskutueshëm mbi ta. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fashistët kryen krime, por pas luftës nisi integrimi europian, duke ndryshuar Europën nga një kontinent i mbushur me luftëra në një kontinent në harmoni. Ndërsa në Japoni, disa politikanë mohojnë krimet e bëra gjatë luftërave, tentojnë të sfidojnë rendin e ri global pas Luftës së Dytë Botërore dhe të prishin stabitetin rajonal. Veprimet e tilla duhet të jenë një këmbanë alarmi për popullin dhe shtetet që kërkojnë paqe", shkruan zv/ministri kinez në gazetën "The Daily Telegraph".
Duke prekur marrëdhëniet kino-europiane, Song Tao shkruan se Kina është përkrahëse besnike e integrimin europian. Ai përmend se gjatë periudhës më të vështirë të krizës së borxheve, Kina nuk ndryshoi qëndrimin e saj ndaj Europës.
"Pala kineze dëshiron të japë kontributin e saj për një Europë në paqe, të stabilizuar dhe të zhvilluar", shkruan zv/ministri i jashtëm kinez, Song Tao. (Yin Xiao/ Ardi Pulaj)