Shefi i diplomacisë kinezë Yang Jiechi paraqiti një propozim me katër pika për zgjidhjen politike të çështjes së Sirisë, gjatë takimit në Pekin me emisarin Lakhdar Brahimi.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Hong Lei, Kina, ndër të tjera, i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë rrugët diplomatike dhe të rrisë ndihmat humanitare për Sirinë.
"Kina ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe aktiv në zgjidhjen politike të çështjes së Sirisë. Do të vazhdojmë të bëjmë një gjë të tillë sëbashku me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme dhe paqësore për Sirinë", tha Hong Lei.
Kjo ishte vizita e parë e Brahimit në Pekin, që nga shtatori, kur ai zëvëndësoi Kofi Ananin në postin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së dhe Lidhjes Arabe.
Ish-ambasadori kinez në Iran, Hua Liming thotë se katër propozimet e Kinës për çështjen e Sirisë, vijnë në kohën e duhur.
"SHBA është tërhequr nga ideja e ndërhyrjes ushtarake ndaj Sirisë. Mbështetëset e opozitës si Arabia Saudite dhe Katari, ofrojnë vetëm para. Turqia nuk mund të sulmojë ushtarakisht. Kina ka vendin e përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si një fuqi botërore ka qëndrimet e saj dhe ftoi Brahimin për vizitë. Kina ka luajtur një rol pozitiv në çështjen siriane", tha Hua Liming.
Diplomati gjithashtu theksoi se vendet fqinje të Sirisë kanë nevojë për vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, pasi në Irak, Jordani, Liban dhe Turqi ka rreth 300 mijë refugjatë sirianë. (Ardi Pulaj)