Pasi u takua me zv/sekretarin amerikan të shtetit, William J. Burns, Ministri i Jashtëm japonez Kiochiro Genba u nis të hënën për në Francë, Britaninë e Madhe dhe Gjermani, me qëllim që të kërkojë, atë që e ka cilësuar mirëkuptim ndërkombëtar mbi çështjen e ishujve Diaoyu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Hong Lei u shpreh se pavarësisht se si propagandon qëndrimin e saj, Tokioja nuk ndryshon dot faktin se ka vjedhur e pushtuar territorin kinez.
Në një intervistë për gazetën kineze "Renmin Ribao", eksperti Ni Lingning nga Instituti i Studimeve Globale e Rajonale të Gjermanisë thotë se historikisht, për qindra vjet, Kina ka treguar se nuk është për luftë apo për zgjerimin e territorit të saj. Sipas tij, mosmarrëveshjet për ishujt Diaoyu janë një çështje gjeopolitike. Kina është vetëpërmbajtur dhe ka pasur një qëndrim diplomatik mbi divergjencat dhe nuk ka treguar as qëndrim ofensiv, shton ai.
Ni Lingning thekson se pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania jo vetëm pranoi krimet e saj, por bashkëpunoi me Francën dhe Poloninë për redaktimin e teksteve shkollore, për të siguruar të vërtetat historike. Sipas Ni Lingning, Japonia tani ndahet në dy grupe; një e pranon historinë dhe tjetri jo. Të djathtët që refuzojnë të pranojnë historinë po vazhdojnë të sponsorizojnë botimin e teksteve shkollore në të cilat deformohet historia.
Ndërkohë eksperti francez i gjeopolitikës, Pierre Picquart thotë se shtetëzimi nga Japonia i ishujve Diaoyu dëmton marrëdhëniet kino-japoneze.
Agjencia e lajmve "AFP" shkruan se Kina dhe Japonia varen ekonomikisht nga njera-tjetra. Kina është partneri i parë tregtar i Japonisë, prandaj vijimi i divergjencave mbi ishujt Diaoyu nuk është në favor të Tokios.
Sipas gazetës franceze "Les Echos", Azia nuk është shëruar ende nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore. Gjermania ka pranuar dhe kërkuar ndjesë për krimet e saj, ndërsa librat japonezë të historisë ende shmangin agresionin ndaj Kinës, sidomos makakrën e Nanjingut, e cila është plaga që i dhemb më shumë popullit kinez, shkruan "Les Echos". (Wang Xianya/ Ardi Pulaj)