Shkalla e papunësisë në Greqi ka shënuar një rekord të ri prej 25.1 për qindësh në korrik, shifër kjo më e lartë se afro 25% që u regjistrua në qershor.
Autoritetet shprehen se në korrik u regjistruan mbi 1.2 milion të papunë në shtetin helen.
Përqindja e papunësisë në mesin e personave nga mosha 15 në 24 vjeç zë mbi 54 % të popullisë në total.
Është vlerësuar se shkalla e papunësisë do të pësojë rritje në muajt e ardhshëm, pasi qeveria ka marrë vendim për masa të metejshme shkurtimi, në këmbim të këstit të ardhshëm të shpëtimit.
Ndërkohë, prodhimi industrial grek ka regjistruar rritje me 2.5% nga viti në vit, në muajin gusht, niveli më i lartë i rritjes që nga prilli i 2008-s.
Analistët mendojnë se kjo rritje ka ardhur si pasojë e eksporteve greke, të cilët kanë 'përfituar' nga ulja e kostove të punës. (Albana)