Presidenti i Turqisë Abdullah Gul ka bërë thirrje për angazhim ndërkombëtar për të ndihmuar në "rastet e skenarëve më të këqinj" në Siri.
Më herët gjatë javës forcat ushtarake turke sulmuan drejt Sirisë, pasi ky vend lëshoi një bombë në një fshat në jug të Turqisë.
Abdullah Gul u shpreh se Turqia do të vazhdojë të bëjë gjithcka që është e nevojshme për mbrojtjen e kufijve të saj:
"Skenarët më të këqinj po ndodhin tani në Siri, dhe sirianët po vuajnë për shkak të kësaj. Ka raste që kjo ka ndikim dhe tek ne, ne humbëm disa prej qytetarëve tanë. Qeveria jonë është në bisedime të vazhdueshme me ushtrinë turke.''
Kjo është dita e gjashtë me radhë e hakmarrjes turke ndaj bombardimeve siriane.
Ndërkohë, Turqia ka deklaruar se që tani e tutje do t'i përgjigjet menjëherë çdo sulmi të mundshëm nga Siria.
Kohët e fundit, forcat ushtarake turke kanë shtuar praninë e tyre përgjatë kufirit prej 900 kilometrash me Sirinë.
Turqia ka strehuar afro 100 mijë refugjatë sirianë në kampet e saj, ka shprehur mbështetje për rebelët dhe i ka bërë vazhdimisht thirrje Assad-it të japë dorëheqjen. (Albana)