Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe pajtohet me vlerësimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Lakhdar Brahimi se misioni diplomatik në Siri është "gati i pamundur."
Në një konferencë shtypi në Kajro, Nabil Elarabi mohoi gjithashtu se ka ndonjë mosmarrëveshje mes shteteve arabe në përpjekjet për të zgjidhur krizën siriane. Ai theksoi se është e nevojshme që në Siri të fillojë një periudhë kalimtare dhe kujtoi se rezoluta e Lidhjes Arabe kërkon nga presidenti Bashar al-Asad të japë dorëheqjen.
Ndërkohë, z. Elarabi dënoi edhe botimin nga një revistë franceze të karikaturave denigruese ndaj profetit të fesë islame Muhamet, duke e përshkruar një veprim të tillë si "provokues dhe indinjues". (Artani)