Në një konferencë shtypi të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, të zhvilluar më 17 shtator në Vjenë, zv.presidenti iranian Fereydoon Abbasi Davani, i cili është njëkohësisht edhe kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, bëri të ditur se në gushtin e sivjetshëm ka pasur orvatje për të shkatërruar sistemin e furnizimit me energji elektrike të kompleksit të nëndheshëm të pasurimit të uraniumit në Fordou.
Sipas zv.presidentit iranian, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në një linjë tjetër elektrike për centralin e pasurimit të uraniumit afër Natanzit. Ai u shpreh se një grup njerëzish dëshirojnë të prishin instalimet bërthamore për të ngadalësuar programin bërthamor të Iranit. Megjithatë, sipas Davanit, programi bërthamor i Teheranit jo vetëm që nuk është prekur nga këto incidente, por ka arritur një përparim të madh. (Wang Xianya/Artani)