Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të martën se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndalon zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani, atëherë nuk ka të drejtë që të ndalojë sulmet e Izraelit ndaj Iranit.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Netanyahu tha se deri më tani, përpjekjet diplomatike për ndalimin e programit bërthamor iranian nuk patën efekt dhe Irani po i afrohet gjithnjë e më shumë zotërimit të armëve bërthamore. Nëse nuk ekzistojnë "vija e kuqe" dhe "afati i fundit", Irani do të vazhdojë programin e tij.
"Ato vende, që refuzojnë të vendosin vijën e kuqe për Iranin, nuk kanë të drejtë të vendosin dritën e kuqe për Izraelin", theksoi Netanyahu.
Të hënën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney refuzoi kërkesën e Izraelit për vendosjen e vijës së kuqe, duke theksuar se ka ende kohë dhe hapësirë për zgjidhjen paqësore të problemit bërthamor iranian. Po të njëjtën ditë, sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton u shpreh se tani SHBA-ja nuk do të vendosë vijën e kuqe dhe një afat për Iranin, ndërsa theksoi se Uashingtoni po merr parasysh zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet bisedimeve. (Jiang Lei/Leftion Peristeri)