Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri të ditur të martën në Gjenevë se, 550 mijë refugjatë në distriktin Homs të Sirisë kanë nevojë emergjente për ndihmë humanitare. OBSH-ja shton se situata humanitare në terren është përkeqësuar në mënyrë dramatike.
Zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jaserevic, u shpreh se aktualisht në Homs ka një mungesë të madhe të numrit të mjekëve. Sipas raportit, atje kanë mbetur vetëm 3 mjekë dhe shumica e vullnetarëve nga organizatat shëndetësore nuk kanë përgatitjen e duhur profesionale.
Sipas njoftimeve të OBSH-së, spitali më i madh atje është shkatërruar gjatë sulmeve dhe vetëm gjysma e 12 spitaleve publike vazhdojnë të jenë në gjendje pune. Një problem tjetër qëndron në faktin se për shkak të mungesës së medikamenteve, spitalet e "mbijetuara" nga sulmet nuk funksionojnë si duhet.
Gjithashtu, kushtet sanitare edhe pastërtia e ujit të pijshëm janë vënë në pikëpyetje, duke vështirësuar edhe më tej jetesën e banorëve vendës.
(Zhan Dian/Albana)