Zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli bëri të ditur se shefi i qeverisë firmosi disa ndryshime në vendimin për kasat fiskale.
"Ky vendim parashikon uljen me rreth 60 % të pagesës vjetore që paguan çdo biznes në Shqipëri për mirëmbajtjen e pajisjes fiskale. Nga 9400 lekë që është paguar deri më tani, pagesa vjetore e mirëmbajtjes bëhet vetëm 4000 lekë. Pra, e theksoj, do të jetë më pak sesa gjysma e pagesës që bëhej më parë", deklaroi Mëhilli në një konferencë për shtyp.
Me këtë vendim të ri, biznesit do t'i kërkohet certifikimi i funksionimit të kasës fiskale vetëm një herë në vit dhe jo çdo 6 muaj, siç kërkohej deri tani.
Gjithashtu qeveria vendosi ngritjen e një fondi të posaçëm për punimet artizane, në vlerën 50 milionë lekë. Sipas zëdhënëses Mëhilli, artizanati shihet si një potencial punësimi e vetëpunësimi. Për këtë arsye, pushteti vendor duhet të krijojë fonde për artizanatin. (Ardi Pulaj)


















