Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës dënoi vendimin e qeverisë japoneze për blerjen e ishujve Diaoyu, duke thënë se Tokio ka shpërfillur negociatat serioze të palës kineze dhe ka shkelur sovranitetin territorial të Kinës.
Në deklaratën e publikuar në faqen e internetit të ministrisë thuhet se qeveria dhe populli kinez kundërshtojnë një gjë të tillë dhe protestojnë ashpër ndaj këtij veprimi.
Ministria thekson se ishujt Diaoyu janë pjesë e territorit të Kinës që nga lashtësia, gjë që dëshmohet me fakte historike dhe mbështetet nga ligjet përkatëse.
"Kina është pronarja e padiskutueshme e këtyre ishujve. Qeveria kineze thekson se e ashtuquajtura blerje është e paligjshme dhe nuk ka fuqi ligjore. Kina nuk do të rrijë duarkryq dhe të shohë se si shkelet sovraniteti i saj", thuhet në deklaratë.
Më tej qeveria kineze i bën thirrje Japonisë të ndalë menjëherë të gjitha veprimet në këtë drejtim, pasi po të vazhdohet kështu, pasojat e rënda do të bien mbi Japoninë. (Çan Jean/ Ardi Pulaj)


















