Kryetari i Shtetit i Kinës Hu Jintao deklaroi qëndrimin e Kinës mbi çështjen e ishujve Diaoyu më 9 shtator, gjatë takimit me kryeministrin japonez Joshihiko Noda gjatë takimit të 20-të jozyrtar të udhëheqësve të APEK-ut.
Hu Jintao vuri në dukje se kohët e fundit, për shkak të çështjes së ishujve Diaoyu, marrëdhëniet kino-japoneze po përballen me një situatë të zymtë.
Ai shtoi se qëndrimi i Kinës është i qartë dhe i vendosur në lidhje me këtë çështje. "Blerja e ishullit" nga pala japoneze është e paligjshme dhe e pavlefshme dhe Kina e kundërshton me vendosmëri këtë veprim.
"Qeveria kineze ka qëndrim të palëkundur mbi ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Japonia duhet të jetë plotësisht e vetëdijshme për këtë çështje dhe të mos marrë vendime të gabuara. Japonia duhet të përpiqet që së bashku me Kinën të ruajnë gjendjen e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe," u shpreh numri një i Kinës, Hu Jintao. (Jiang Lei/Albana)


















