Në një intervistë të dhënë ditët e fundit, e dërguara e posaçme e presidentit sirian, znj. Bouthaina Shaaban, u shpreh që qeveria siriane mirëpret ndërmjetësimin ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit në vend me mjete politike. Damasku zyrtar dëshiron rikthimin e sigurisë dhe të qëndrueshmërisë në Siri në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar.
Ndërkohë, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Sirisë u shpreh të hënën që, nëse përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe Lakhdar Brahimi dëshiron ta kryejë detyrën e vet dhe të bashkëpunojë me qeverinë siriane, ai duhet të respektojë rreptësisht kornizën e pranuar nga palët në Siri për misionin e tij dhe të përpiqet të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Sirisë nga disa vende që furnizojnë me armë ato që ky zyrtar i quajti "grupe terroriste".
Po atë ditë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov theksoi se e vetmja rrugë për zgjidhjen e çështjes së Sirisë është që palët përkatëse të ulen në tryezën e bisedimeve. Ai shprehu njëkohësisht kundërshtimin ndaj propozimit të Turqisë për krijimin e një zone sigurie në Siri, duke theksuar se çfarëdo veprimi i njëanshëm nuk do të sjellë rezultate. (Wang Xianya/Artani)