Kombet e Bashkuara pritet ta përfundojnë misionin e tyre të vëzhgimit në Siri këtë të diel, vetëm disa ditë para mbarimit të mandatit të tij. Një zyrë civile me një personel prej 30 vetash do të ngrihet në Damask për të mbajtur kontaktet politike me Sirinë.
Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Veprimet Paqeruajtëse Edmond Mulet shprehet:
"Këshilli i Sigurimit vendosi dy kushte për ta zgjatur ose jo praninë e misionit vëzhgues të Kombeve të Bashkuara në Siri. Këto dy kushte ishin ndërprerja e përdorimit të armëve të rënda dhe pakësimi i dhunës nga të gjitha palët. Sot e informova Këshillin në emër të Sekretarit të Përgjithshëm që këto dy kushte nuk janë përmbushur. Kështu që misioni do të përfundojë të dielën në mesnatë. "
Misioni i vëzhgimit i OKB-së në Siri, i cili u krijua në prill, ishte pjesë e planit 6-pikësh të paqes të Kofi Ananit. (Artani)