Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Ramin Mehmanparast paralajmëroi të martën kundër vendosjes së mundshme nga Shtetet e Bashkuara të një zonë mosfluturimi në Siri dhe u bëri thirrje vendeve të rajonit të mos bëhen pjesë e masave të tilla, njoftoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ISNA.
Mehmanparasti i bëri këto komente në konferencën e tij të përjavshme për shtyp në Teheran.
"Për fat të keq, pala amerikane luan një rol destruktiv në zhvillimet në Lindjen e Mesme," u shpreh zëdhënësi i diplomacisë iraniane, duke shtuar se Uashingtoni po përgatitet për të përsëritur përvojën e vet libiane në Siri.
Plani amerikan për të vendosur një zonë mosfluturimi në Siri tregon një "komplot ogurzi" për të përgatitur terrenin për një ndërhyrje ushtarake aty, citohet të ketë thënë Mehmanparasti, duke shtuar se vendet e rajonit nuk duhet ta lejojnë të ndodhë një gjë e tillë.
Gjatë vizitës të dielën në Turqi sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton pohoi se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së një zone mosfluturimi në Siri për të zgjidhur konfliktin në këtë vend arab. (Artani)