Forcat qeveritare në Siri kanë vrarë qindra kryengritës të armatosur të mërkurën në qytetin verior Aleppo, ndërkohë që ish-kryeministri sirian Rijad Hixhab ka ikur në Jordani.
Agjencia siriane e Lajmeve SANA njoftoi se kanë mbetur të vrarë qindra të armatosur në distriktin Salahuddien të Aleppo-s dhe ushtria ka marrë kontrollin e plotë në këtë zonë.
Bëhet e ditur se trupat qeveritare kanë marrë kontrollin në këtë zonë pas luftimeve të përgjakshme me rebelët, të cilët kanë patur kontrollin e plotë në këtë lagje që prej 2 javësh.
Observatori Sirian për Të Drejtat e Njeriut me qendër në Britaninë e Madhe
tha se përleshjet e dhunshme u raportuan në lagjen Salahuddien dhe kryengritësit Bustan al-Qasr e al-Firdous, tentuan të kontrollonin degën e Inteligjencës së Forcave Ajrore.
Arritjet ushtarake të trupave siriane u "mjegulluan" nga lajmi se ish-kryeministri i dezertuar sirian mbërriti në Jordani.
Samih Maaytah, zëdhënësi i qeverisë jordaneze konfirmoi se Hixhab mbërriti në Jordani të mërkurën.
"Hixhab hyri në Jordani orët e para të ditës së mërkurë së bashku me disa pjesëtarë të familjes së tij," duke shtuar se gjendet në një vend të sigurt në Amman.
Samih nuk dha detaje të tjera rreth faktit nëse Hixhab do largohet nga Jordania ose jo.
Hixhab, i cili u emërua si kryeministër i vendit nga presidenti sirian
Bashar al-Assad, u informua për shkarkimin e tij mbrëmjen e së dielës.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Ali-Akbar Salehi u shpreh të mërkurën se Ministria e Jashtme e Iranit po ndjek aktivisht fatin e shtetasve të rrëmbyer në Siri.
Salehi vizitoi Ankaranë të martën, ku e diskutoi çështjen e pengmarrjes së pelegrinëve iranianë në Siri me ministrin e Jashtëm turk Ahmet Davutoglu.
Kriza në Siri vazhdon të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare.
Zv.ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian u shpreh se në takimin konsultativ për Sirinë do të jenë të pranishëm ministrat e Jashtëm të disa vendeve, të cilët kanë pikëpamje si për çështjet rajonale, ashtu dhe për ato ndërkombëtare.
Kryeministri irakian Nuri al-Maliki përsëriti gjithashtu të mërkurën mbështetjen e vendit të tij për arritjen e suksesit në Siri nëpërmjet rrugës paqësore. (Albana)