Ministri sirian i informacionit, Omran al-Zohbi hodhi poshtë të hënën njoftimet e disa mediave për situatën në vend, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Sipas tij, qeveria siriane funksionon normalisht dhe askush nuk duhet të shqetësohet.
Ministri al-Zohbi tha se dezertimi i disa individëve nuk do të ndryshojë apo do të ndikojë në rrugën e vendit, pavarësisht se sa të larta ishin pozicionet që mbanin këta persona në qeveri.
"Braktisja e vendit të punës dhe arratisja drejt një vendi tjetër tregojnë mungesën e ndërgjegjies politike dhe kombëtare", tha al-Zohbi.
Më herët televizioni i Katarit, Al Jazeera njoftoi se kryeministri sirian Riyad Farid Hijab mbërriti në Jordani nën mbrojtjen e Ushtrisë për Çlirimin e Sirisë. Ndërkohë, Këshilli Kombëtar i opozitës bëri të ditur se në rradhët e tyre ishin bashkuar edhe dy ministra dhe tre ushtarakë, të cilët shoqëruan kreun e qeverisë siriane për në Jordani. (Çan Jean/ Ardi Pulaj)