Kreu i OKB-së Ban Ki Mun i ka bërë thirrje qeverisë siriane ta sigurojë arsenalin e saj kimik, u tha një zëdhënës i kësaj organizate gazetarëve të mërkurën.
"Sekretari i Përgjithshëm dëshiron të theksojë përgjegjësinë kryesore të qeverisë së Sirisë në garantimin e sigurisë së të gjitha rezervave të saj të armëve," u shpreh Eduardo del Buey, zëvendëszëdhënës i Ban Ki Munit, kur u pyet rreth mundësisë së përdorimit të armëve kimike në Siri. Ai shtoi se shefi i OKB-së është në dijeni të njoftimeve për një zhvendosje të mundshme të atyre që dyshohen si armë kimike në Siri.
Ministria e Jashtme siriane tha të hënën se Damasku mund të përdorë armë kimike nëse sulmohet nga jashtë, por armë të tilla kurrë nuk do të përdoren në çfarëdo lufte të brendshme ose kundër popullit sirian gjatë krizës së tanishme.
Të hënën, teksa ndodhej në Beograd, në kuadër të vizitës në vendet e Ballkanit, z. Ban Ki Mun shprehu shqetësimin e vet lidhur me këtë deklaratë. (Artani)