Teksa kanë mbetur edhe 11 ditë nga nisja e Lojrave Olimpike, Londra po bën përgatitjet e fundit për të pritur atletët e zyrtarët nga mbarë bota.
Transporti dhe siguria janë sfidat më të mëdha logjistike për organizatorët, thotë zyrtari Mark Evers, që shpreson se problemet do të tejkalohen.
"Londinezët janë mësuar të udhëtojnë kur ka aktivitete të rëndësishme, por ky do të jetë edhe më i madh. Prandaj njerëzit duhet të planifikojnë që më përpara për të shmangur pikat më të frekuentuara", tha Mark Evers.
Ndërkohë përfaqësuesja e Agjentëve Turistikë Britanikë, Victoria Bacon thotë se Lojrat Olimpike do të sjellin një numër të madh turistësh.
"Lojrat janë një aktivitet i rëndësishëm për njerëzit që do të udhëtojnë. Ndaj them se do të jenë të preferuara nga njerëzit", thotë Victoria Bacon.
Parashikohet që rreth 500.000 vizitorë nga mbarë bota të vizitojnë Londrën gjatë periudhës korrik-gusht. (Ardi Pulaj)