Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun përshëndeti marrëveshjen e arritur gjatë fundjavës nga një grup veprimi ndërkombëtar për t'i dhënë fund krizës 16-mujore në Siri.
Mbledhja e këtij grupi, që përfshin pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe katër vende të Lindjes së Mesme, u thirr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së e i Lidhjes Arabe Kofi Anan. Të nëntë vendet ranë në një mendje për krijimin e një qeverie kalimtare për t'i dhënë fund krizës siriane, e cila vijon që nga marsi i vjetshëm.
Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur mbështetjen e vet për planin. Zëdhënësja e këtij Departamenti Viktoria Nuland thotë:
"Formimi i kësaj qeverie dhe kalimi i pushtetit janë mënyra më e mirë për të siguruar - nëse jeni të interesuar për institucionet e shtetit sirian - që ta vijojmë këtë tranzicion demokratik pa pasur nevojë të shkatërrojmë institucionet. "
Z. Ban Ki Moon ka shprehur gjithashtu shpresën se të gjitha palët në Siri do të dëgjojnë thirrjet ndërkombëtare për të ndaluar dhunën e për të punuar përsëri për vënien në jetë të planit gjashtëpikësh të Ananit. (Artani)