Në mesditën e 29 qershorit, pasi anija kozmike kineze "Shenzhou 9" mbërriti sipas planit në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës, tre kozmonautët dolën nga kapsula në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo shënon suksesin e plotë të Kinës në bashkimin për herë të parë të anijes kozmike me laboratorin hapësinor.
Në Qendrën e Kontrollit të Fluturimeve Kozmike të Kinës, kryeministri kinez Wen Jiabao shprehu urime dhe vlerësim të lartë për bashkimin e suksesshëm të "Shenzhou 9" me "Tiangong 1".
Z. Wen tha se kryerja e detyrës me sukses është një arritje e rëndësishme e teknologjisë kineze të bashkimit hapësinor, e cila shënon një progres të rëndësishëm strategjik të fazës së dytë të programit të fluturimeve hapësinore me kozmonautë të Kinës.
Sipas këtij programi, Kina do të ndërtojë një stacion hapësinor rreth vitit 2020. Bashkimi i anijes kozmike "Shenzhou 9" me laboratorin hapësinor "Tiangong 1" u realizua në mënyrë edhe automatike, edhe manuale. Kjo do të thotë se Kina zotëron tashmë teknologjinë e bashkimit në hapësirë dhe është e aftë për furnizimin në mënyra të ndryshme të mjeteve që fluturojnë në orbitë. (Wang Xianya/Artani)