Bujar Nishani, në prononcimin e parë pas zgjedhjes të hënën në postin e Presidentit me 73 vota pro në Parlamentin e Shqipërisë, tha se do të kishte preferuar që të merrte edhe votat e opozitës.
Megjithatë, kreu i ardhshëm i shtetit shqiptar u shpreh se bashkëpunimi me opozitën dhe integrimi europian do të jenë prioritete në axhendën e punës së tij si President. Ai shtoi se me opozitën do të kontaktojë në Kuvend.
"Do të doja edhe votën e opozitës në procesin e zgjedhjes, por ajo ka ushtruar të drejtën e sovranitetit të saj. Nuk ka nevojë për takim zyrtar me PS-në para se të marr detyrën. Deputetët e Partisë Socialiste janë në parlament dhe kontakti me ta do të jetë në momentin e betimit", tha Nishani.
Deklaratat e tij u bënë pas takimit me punonjësit e administratës së Ministrisë së Brendshme, dikaster të cilin e ka drejtuar deri në momentin kur u zgjodh President.
Bujar Nishani pritet të marrë detyrën në krye të shtetit shqiptar në fund të korrikut, kur përfundon mandati i Presidentit aktual, Bamir Topi. (Ardi Pulaj)