Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, partner i koalicionit qeverisës, u shpreh pas zgjedhjes së presidentit të ri se "Bujar Nishani është një emër i njohur, shumë i respektuar dhe që do të sigurojë një frymë bashkëpunimi me opozitën dhe njëkohësisht me të gjithë aktorët e tjerë politikë e socialë në vend".
Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu vlerësoi jo vetëm figurën e Nishanit, por dhe mënyrën sesi maxhoranca erdhi deri tek ky emër.
"Procesi për zgjedhjen e presidentit nuk mund të rrezikojë statusin. Statusi nuk përdoret dot si "gogol" nga Rama. Zoti Rama duhet të respektojë ligjet që ka propozuar dhe miratuar vetë ai, duke treguar vullnet, mos të pengojë reformat", vlerësoi Bregu.
Edhe presidenti aktual, Bamir Topi, përmes një mesazhi telefonik uroi pasardhësin e tij në presidencë.
Reagime ka pasur edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, theksoi se do të mbështesë përpjekjet e Nishanit si president i ri për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për ta parë vendin të marrë vendin që i takon si një anëtar i integruar plotësisht në bashkësinë euro-atlantike.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi theksoi se "roli i Presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e të gjitha përpjekjeve do të jetë me rëndësi të vendimtare për Shqipërinë për të përballuar me sukses sfidat në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Edhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, mirëpriti zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e kreut të shtetit.
"Zgjedhja e Nishanit si president i ardhshëm i Shqipërisë është lajm i mirë. Ne e çmojmë punën e vendosur të Ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t'i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive," tha Wollfarth. (Ardi Pulaj)