Nga 6 deri më 7 qershor do të mbahet në Pekin Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh). Ekspertët besojnë se në fokus të këtij samiti do të jenë çështjet lidhur me bashkëpunimin ekonomik e tregtar ndërmjet vendeve anëtare të kësaj organizate. Ata parashikojnë gjithashtu që samiti të arrijë rezultate të frytshme.
Gjatë dhjetë vjetëve të kaluar, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë midis Kinës dhe vendeve të tjera të OBSh-së u ngrit nga 12.1 miliardë në 113.4 miliardë dollarë, gati duke u dhjetëfishuar. Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik rajonal, po thellohen konsultimet për këmbimin e valutave dhe pagesën me monedhat vendore.
Sekretari i Qendrës së Studimeve për OBSh-në në Akademinë e Shkencave Shoqërore Sun Zhuangzhi bëri të ditur se gjatë samitit do të miratohet "Plani i zhvillimit strategjik afatmesëm i OBSH-së". Z. Sun vijoi:
"Ky plan mbulon çështje të gjera, si projektet në fushën e bujqësisë e të transportit, dhe përmban projekte të hollësishme lidhur me doganat dhe kalimin kufitar. Ai parashikon gjithashtu edhe bashkëpunimin në fusha tradicionale dhe të reja, si edhe forcimin e lidhjeve ndërmjet bizneseve të vendeve të ndryshme"
Specialisti Sun vë në dukje që, në krahasim me bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ai ekonomik është ende relativisht i pazhvilluar. Në samit pala kineze do të bëjë thirrje për nxitjen e krijimit të lehtësive në fushën e tregtisë dhe të investimeve, si edhe për shtimin e bashkëpunimit në ndërtimin e infrastrukturës brenda kornizës së OBSh-së.
"Më e rëndësishmja është ndërtimi i infrastrukturës, si p. sh. i hekurudhave, i rrugëve etj., të cilat kërkojnë investime. Ndërkohë, nevojitet edhe konsultimi në sferën ligjore, që të krijohet një mjedis më i mirë politik dhe ligjor për investimet dhe bashkëpunimin,"përfundoi specialisti i Akademisë së Shkencave Shoqërore Sun Zhuangzhi. (Wang Xianya/Artani)