Raundi i dytë për votimin e presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, u konsiderua të hënën i ezauruar, pasi në Kuvend nuk u paraqit asnjë kandidaturë.
Në nisje të seancës plenare, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli i paraqiti deputetëve raportin e Komisionit Kuvendor të Ligjeve, ku konstatohet se deri në afatin e përcaktuar, në organin ligjvënës nuk u depozitua asnjë kandidaturë për postin e kreut të shtetit.
Një gjë e tillë pritej, që pas përfundimit të takimit të së dielës në mbrëmje mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, të cilët përsëritën pozicionet e tyre, duke thënë se janë të gatshëm për zgjedhjen e një presidenti konsensual, por pa përmendur emra konkretë.
Menjëherë pas përfundimit të seancës, kryeparlamentarja Topalli thirri konferencën e kryetarëve të grupeve kuvendore, ku u vendos që të enjten të përcaktohet data kur do të zhvillohet raundi i tretë i votimit në Parlament për presidentin e ardhshëm.
Sipas rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës së Shqipërisë, presidenti zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat. Gjithsej mund të zhvillohen pesë raunde votimi, nëse presidenti nuk zgjidhet që në fillim. Në raundet e fundit të votimit në parlament, kreu i shtetit mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash. Ndërkohë që në proceset parardhëse nevojitet shumica e cilësuar, prej 84 votash. Nëse edhe në raundin e pestë nuk caktohet kreu i ri i shtetit, atëherë Parlamenti shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. (Ardi Pulaj)