Në një deklaratë të shpërndarë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë thuhet se zoti Haxhinasto i bashkohet qëndrimit të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara për dënimin e këtyre ngjarjeve të tmerrshme.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë thotë se këto ngjarje janë një dëshmi e qartë e shpërfilljes, nga ana e regjimit sirian të planit prej gjashtë pikash të hartuar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes Arabe, Kofi Anan.
Kryetari i Komitetit të Ministrave nxit autoritetet siriane për t'i dhënë menjëherë fund veprimeve luftarake kundër popullsisë civile, tërheqjen e ushtrisë, si dhe lejimin e vëzhguesve të OKB-së të kryejnë punën e tyre pa asnjë pengesë. (Leftion Peristeri)