Sipas Kushtetutës, parlamenti me 140 vende ka pesë raunde në dispozicion për të zgjedhur pasardhësin e presidentit Bamir Topi, mandati 5-vjeçar i të cilit përfundon më 24 korrik.
Ndërsa tre raundet e para kërkojnë një mazhorancë me 3/5 për të zgjedhur presidentin, duhen vetëm 71 vota në raundin e katërt dhe të pestë për të mënjanuar krizën.
Partia Demokratike në pushtet e kryeministrit Sali Berisha dhe aleatët, me një shumicë prej 74 vendesh nga 140 që ka parlamenti, propozuan Xhezair Zaganjorin, një ish ambasador dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por kandidatura e tij u refuzua nga Partia Socialiste në opozitë.
"Të gjitha forcat politike duhet të tregojnë shpirtin e pranimit dhe të besojnë se zgjidha do të vijë në raundin e dytë dhe të tretë," deklaroi kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli në fund të seancës.
Pasi e deklaroi të mbyllur seancën, Topalli filloi mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare për të vendosur mbajtjen e raundit të dytë të votimit. Konferenca e kryetarëve caktoi ditën e hënë për të mbajtur raundin e dytë të zgjedhjes së presidentit të Republikës. (Leftion Peristeri)