Zëdhënësi i diplomacisë kineze Liu Weimin thotë:
"Kina u bën thirrje të gjitha palëve në Siri të zbatojnë menjëherë dhe tërësisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si edhe gjashtë pikat e propozimit të të dërguarit të posaçëm të përbashkët të OKB-së e Lidhjes Arabe Kofi Anan, të mbajnë premtimet për të ndaluar dhunën dhe për të mbrojtur civilët, si edhe të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të pakësuar tensionet e për të nxitur zgjidhjen politike të çështjes së Sirisë ".
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka deklaruar se, si trupat e qeverisë siriane, ashtu edhe kryengritësit janë përgjegjës për masakrën:
"Këtu kemi të bëjmë me një situatë në të cilën të dyja palët kanë qartazi dorë në vdekjen e njerëzve të pafajshëm, duke përfshirë edhe disa dhjetëra gra e fëmijë. Kjo zonë (Houla) është nën kontrollin e luftëtarëve të armatosur, por edhe është e rrethuar nga trupat qeveritare. "
Kryediplomati rus i bëri këto komente gjatë takimit me homologun e vet britanik William Hages. Britania po e nxit Rusinë - e cila ka lidhje të ngushta me Sirinë - të zbatojë planin e paqes të Kofi Ananit. Të dyja këto vende, si edhe Franca, kanë rënë dakord për nevojën e marrjes së masave urgjente për t'i dhënë fund dhunës në Siri. (Artani)