Irani është i gatshëm të marrë në konsideratë kërkesën e Perëndimit për të ndalur prodhimin e uraniumit me pastërti 20%, por vendet perëndimore duhet të kenë parasysh se programi bërthamor i Teheranit ka qëllime civile. Deklarata u bë të dielën nga zëdhënësi i MPJ-së iraniane, Ramin Mehmanparast.
Ai tha se Irani e konsideron pasurimin e uraniumit si një të drejtë të ligjshme dhe se nuk ka planifikuar kurrë përdorimin e programit bërthamor për qëllime ushtarake.
"Në bisedimet që u zhvilluan në prill në Stamboll, SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania ranë dakord që të bazohen tek Marrëveshja e Mospërhapjes Bërthamore për negociatat e ardhshme", tha Mehmanparast.
Por, në raundin e dytë të bisedimeve që u zhvilluan javën e kaluar në Bagdad, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Kethrin Eshton paraqiti një propozim ku i kërkohet Iranit të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar me pastërti 20% dhe në këmbim të kësaj, vendet perëndimore do t'i ofrojnë izotop mjekësor dhe pjesë këmbimi për avionët. Irani nuk e pranoi këtë propozim, duke i kërkuar vendeve perëndimore që të heqin sanksionet ekonomike. Palët ende nuk kanë arritur konsensus. (Jiang Lei/ Ardi Pulaj)