Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi ashpër sulmin në qytezën Hula të provincës Homs, në Sirinë Qendrore, duke i kërkuar sekretarit të përgjithshëm dhe ekipit të vëzhguesve në terren të hetojnë këtë ngjarje. KS i OKB-së gjithashtu i bërti thirrje palëve në Siri që të ndalojnë aktet e dhunës.
KS-ja zhvilloi një takim tre-orësh me dyer të mbyllura, gjatë të cilit, kreu i delegacionit monitorues të OKB-së Robert Mood raportoi nëpërmjet videos.
Këshilli i kërkoi qeverisë siriane të ndalojë menjëherë përdorimin e armëve të artilerisë së rëndë dhe të tërheqë trupat nga zonat e banuara. Duke shprehur mbështetjen e plotë për gjashtë propozimet e Kofi Ananit, KS-ja i kërkoi këtij të fundit që t'i bëjë të qartë palëve në Siri, sidomos qeverisë, kërkesat e Këshillit të Sigurimit.
Ndërsa Ministria e Jashtme e Sirisë mohoi se trupat qeveritare kanë gisht në masakrën e civilëve në Hula dhe premtoi hetim të detajuar nga Komiteti i Drejtësisë Ushtarake. Rezultatet e hetimeve pritet të publikohen brenda tre ditësh. (Wang Xianya/ Ardi Pulaj)