Agjensia e OKB-së po heton dyshimet se Irani mund të jetë duke synuar armët atomike. Delegacionin e IAEA-s e udhëheq Hermann Nackaerts.
"Ne jemi këtu për të vijuar dialogun me Iranin në një frymë pozitive. Qëllimi ynë sot është të arrijmë një marrëveshje për të zgjidhur të gjitha çështjet që qëndrojnë pezull me Iranin- veçanërisht qartësimi i dimensionit të mundshëm ushtarak, është prioriteti ynë. Është e rëndësishme tani që të futemi në thelbim e çështjeve dhe Irani të na lejojë të kemi qasje te njerëzit, dokumentet, informacionet dhe uzinat", tha Hermann Nackaerts.
Ambasadori iranian në Vjenë deri më tani nuk ka bërë komente mbi bisedimet.
Më herët, mediat publikuan një vizatim që tregonte një pjesë të një dhome me eksploziv që nevojitet për të bërë testime që kanë lidhje me armët bërthamore. Irani i mohon teste të tilla.
Dy raundet e mëparshme të bisedimeve nuk shënuan progres thelbësor. Irani dhe gjashtë fuqitë botërore prej asaj kohe kanë rivendosur kontaktet diplomatike, për të zgjidhur mosmarrëveshjet rreth aktivitetit atomik të Teheranit. Bisedimet e rradhës gjashtë-palëshe do të zhvillohen në Bagdad më vonë gjatë këtij muaji. (Ardi Pulaj)


















