Sekretari i Ministrisë së Jashtme të Filipineve Albert del Rosario u shpreh se vendi i tij ka rifilluar bisedimet me qeverinë kineze për mosmarrëveshjen mbi ishullin Huangyan.
Ambasadori i Kinës në ASEAN Tong Xiaoling pohon se palët janë rikthyer në diskutime me këmbënguljen e palës kineze:
"Zëvendësministrja e Jashtme kineze Fu Ying thirri të ngarkuarin me punë të Filipineve Alex Chua, me shpresën se pala filipinase do të kërkojë ta zgjidhë mosmarrëveshjen me mjete diplomatike. Znj. Fu u kërkoi gjithashtu autoriteteve filipinase të negociojnë me diplomatët tanë në Manila."
Z. Tong bëri të ditur se bisedimet përfshijnë ambasadorin e Kinës në Manila dhe zyrtarë nga Ministria e Jashtme filipinase dhe u shpreh:
"Pavarësisht se ku, në Pekin apo në Manila, ambasadori kinez ka autoritet të plotë për të negociuar me qeverinë filipinase në emër të presidentit dhe qeverisë kineze. Ne shpresojmë se pala filipinase do të veprojë në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe do të vijojë dialogun me ambasadën kineze në Manila."
Mosmarrëveshja mbi ishullin Huangyan u intensifikua në fillim të prillit, kur një kanonierë filipinase nuk lejoi një duzinë anijesh peshkimi kineze të largoheshin prej një lagune në Huangyan, çka bëri që pala kineze të dërgojë aty anije patrulluese. Pala filipinase i ndaloi në mënyrë të njëanshme diskutimet diplomatike me Kinën mbi këtë mosmarrëveshje në fund të muajit të kaluar. (Artani)