I dërguari i OKB-së Kofi Anan raportoi të martën në Këshillin e Sigurimit lidhur me gjendjen në Siri dhe i paralajmëroi sërish si qeverinë, ashtu edhe opozitën në këtë vend t'i japin fund konfliktit, duke thënë se kjo është mundësia e fundit për të shmangur fillimin e një lufte të përgjithshme civile.
"U thashë gjithashtu anëtarëve të Këshillit që besoj se misioni mbikëqyrës i OKB-së është ndoshta shansi i vetëm që ka mbetur për të stabilizuar Sirinë dhe jam i sigurt se nuk po ju tregoj ndonjë sekret po t'ju them se ka një shqetësim të thellë që përndryshe vendi mund të shkojë në një luftë të plotë civile, dhe ajo që rrjedh nga kjo është mjaft e frikshme. Ne nuk mund të lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë, " theksoi Anani.
Në të njëjtën kohë, ai tha se intensiteti i veprimeve ushtarake në Siri është ulur disi, megjithatë u shpreh se niveli i dhunës mbetet përsëri i papranueshëm.
Ndërsa ambasadori i Sirisë në OKB Bashar Xhafari i akuzoi vendet e tjera se po minojnë procesin e paqes në vendin e tij:
"... Ne ende po përballemi me disa fuqi arabe, rajonale dhe ndërkombëtare që po bëjnë përpjekje të mëdha që të sabotojnë misionin e vëzhguesve. Ne kemi dëshmi që pohojnë këtë që po them."
Muajin e kaluar në Siri u arrit një armëpushim i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, të cilat kanë premtuar se 300 vëzhgues do të shkojnë në këtë vend deri në fund të këtij muaji. (Artani)