Ministri i Jashtëm i Kinës Yang Jiechi u takua të martën me sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Arabe Nabil El-Araby dhe një delegacion të Këshillit Kombëtar të Sirisë.
Yang Jiechi vlerësoi rolin pozitiv të Lidhjes Arabe për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe botës, duke i shprehur El-Arabit mbështetjen e Pekinit për gjetjen e një rruge të përshtatshme për zhvillimin e vendeve arabe.
Gjatë takimit me delegacionin e Këshillit Kombëtar të Sirisë, të kryesuar nga Burhan Ghaliuon, kryediplomati kinez sqaroi qëndrimin e qeverisë së Kinës mbi çështjen e Sirisë, duke vënë në dukje se Pekini mbështet çdo zgjidhje që përputhet me interesat e popullit sirian dhe pranohet gjithashtu nga palët në Siri.
Yang Jiechi shtoi se Kina është e gatshme që të luajë një rol konstruktiv për zgjidhjen e drejtë, paqësore dhe të përshtatshme të problemit sirian. (Jiang Lei/ Ardi Pulaj)